Kodi do të rrisë besimin mes organizatave dhe do të ndihmojë në ndërtimin e një imazhi më të mirë për to
Sot, më 31 mars 2022, u mbajt një sesion informativ online për Kodin e organizatave qytetare, në të cilin morën pjesë 34 përfaqësues nga organizatat, grantistët e programit Civica Mobilitas.
Pjesëmarrësit u njohën me procesin e përgatitjes së Kodit, përfitimet nga ky mjet për një përgjegjësi më të madhe dhe qëllimin e tij. “Kodi përfaqëson një katalizator për zhvillimin e vazhdueshëm të vlerave të organizatave. Me të, do të forcohet sistemi i vetë-regullimit, i cili do të kontribuojë për një transparencë më të madhe, efikasitet dhe besim në organizatat qytetare,” theksoi Aleksandra Saveska, bashkëpunëtore për projekte në Qendrën Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS).

Pjesëmarrësit në grupe diskutuan për përvojat e tyre deri tani në vetë-regullim brenda organizatave dhe shprehën mendimet e tyre për përfitimet potenciale nga Kodi, sfidat me të cilat do të përballeshin gjatë zbatimit dhe si do ta aplikonin këtë mjet në punën e tyre. Kodi për organizatat qytetare do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së punës në organizata. Kjo do të kontribuojë për një transparencë më të madhe që do të rrisë besimin mes organizatave në sektor dhe qytetarëve. Gjithashtu, do të ndërtohet një imazh më i mirë ndaj donatorëve, gjë që do të përmirësojë situatën financiare, ishte përfundimi i përgjithshëm nga diskutimet.
Disa nga pjesëmarrësit shprehën interesin e tyre për të nënshkruar Kodin, duke theksuar se ai arrin në një moment ideal për organizatat e tyre. Ata do të marrin mbështetje nga ekipi përgjegjës për zbatimin.

Derimë tani, gjithsej 62 organizata qytetare e kanë nënshkruar, dhe të gjitha organizatat e interesuara që duan të qasen në Kod do të mund ta bëjnë këtë duke plotësuar këtë deklaratë (deklaratë për pranimin e Kodit). Deklaratat depozitohen në Qendrën Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar në e-mailin e mëposhtëm: asv@mcms.mk. Me anë të pranimit, organizatat bëhen pjesë e platformës për zhvillimin e Kodit dhe përmirësimin e transparencës dhe përgjegjshmërisë së sektorit qytetar.