DSC
|

Interesi publik mbi pronësinë e fshehur

Bota ka kohë që di për ekzistencën e të ashtuquajturave kompani “guaska” ose të zbrazëta, të cilat pa një pronar të njohur dhe pa të punësuar, transferonin shuma të mëdha parash midis tyre për shërbime fiktive, me qëllim që të fshihnin gjurmët e këtyre parave, të cilat më shpesh vinin nga biznese të paligjshme dhe të pataksuara.

Por, pas zbulimeve nga dokumentet “Panama“, “Parajsa” dhe “Pandora“, të cilat zbuluan se qindra njerëz në pozicione publike po abuzonin me pozicionet e tyre për të përfituar kompanitë të cilat i posedonin dhe kontrollonin fshehurazi ata ose bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë, u bë e qartë se ishte e nevojshme të dihej se kush qëndronte vërtet pas këtyre kompanive.

Ky ishte momenti vendimtar kur bota ra dakord se ishte e nevojshme të dihej jo vetëm se kush ishte i regjistruar si drejtor ose pronar i kompanive, por edhe se kush qëndronte në të vërtetë pas tyre, kush i kontrollonte dhe përfitonte prej tyre. Kështu identifikoheshin pronarët e vërtetë.

Shumë vende kanë krijuar regjistra të pronarëve të vërtetë të kompanive – domethënë, të personave që në fund të fundit zotërojnë ose kontrollojnë kompaninë ose pronën dhe asetet e saj ose që kanë një përfitim material nga prona/asetet e asaj kompanie.

Por nuk u ndal me kaq. Përveç idesë fillestare – për të parandaluar fshehjen e pronësisë në kompani, realizimin e fitimeve të paligjshme dhe financimin e terrorizmit – zbulimi i pronarëve të vërtetë të kompanive është shndërruar gjithashtu në një mjet për parandalimin e evazionit fiskal, abuzimeve në dhënien e prokurimeve publike, koncesioneve dhe fondeve të tjera publike, në financimin e partive dhe fushatave politike, etj.

Të inkurajuar nga këto trende globale, organizatat e shoqërisë civile, Qendra për Komunikime Qytetare, Aktivo nga Velesi dhe Shoqata e Këshilltarëve Tatimorë të Republikës së Maqedonisë (SHKTRM) analizuan përdorimin e të dhënave të pronarëve të vërtetë në luftën kundër korrupsionit dhe shqyrtuan mundësitë për përdorimin e kryqëzuar të këtyre të dhënave me një sërë bazash të dhënash të tjera si një mjet për zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të fondeve publike nga zyrtarët. Domethënë, cilat janë mundësitë, pengesat dhe çfarë duhet bërë për një përdorim më të madh të të dhënave të pronarëve të vërtetë në luftën kundër korrupsionit.

Analiza tregoi se pavarësisht krijimit formal të Regjistrit të pronarëve të vërtetë në vend pesë vjet më parë, potenciali i tij mbetet kryesisht i pashfrytëzuar në sistemin kundër korrupsionit. Sipas hulumtimit, 23 nga 360 zyrtarë për të cilët u kryqëzuan të dhënat, i fshehën plotësisht ose pjesërisht të dhënat mbi pronësinë në kompani. Qasja e kufizuar, mospërputhjet e të dhënave, mekanizmat e dobët të verifikimit, mungesa e ndërveprimit institucional dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme publike e zvogëlojnë ndjeshëm vlerën parandaluese dhe hetimore të të dhënave mbi pronarët përfitues në vendin tonë.

Gjetjet mbi pengesat, por edhe mbi mundësitë, u ndanë me përfaqësues të mediave dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile që punojnë në tema kundër korrupsionit, në punëtori të dedikuara ku përfaqësues të Byrosë së Prokurimit Publik dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit gjithashtu luajtën një rol në prezantimin e mundësive për analizë të kryqëzuar të të dhënave.

Një hap i madh përpara u bë gjithashtu me zbulimin e të dhënave mbi pronarët e vërtetë të kompanive që përfitojnë nga prokurimi publik me emrat e pronarëve të vërtetë që u publikuan vetëm në tre muajt e parë të Sistemit Elektronik të Prokurimit Publik (SEPS) nga më shumë se 3000 kompani që fituan në tender publik.

Tridhjetë përfaqësues të faktorëve kryesorë në këtë fushë, secili nga perspektiva e vet, diskutuan masat dhe hapat që mund të ndërmerren dhe po ndërmerren për përdorimin e mëtejshëm të këtyre të dhënave. Diskutimi dhe takimi i këtyre përfaqësuesve kryesorë në një vend u bë i mundur nga tre organizatat partnere që organizojnë Forumin tematik mbi përdorimin e të dhënave të pronarëve të vërtetë në luftën kundër korrupsionit.

“Transparenca e të dhënave të pronarëve të vërtetë nuk është vetëm një kërkesë rregullatore, por një gur themel i qeverisjes etike dhe konkurrencës së drejtë”, theksoi zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, duke kërkuar ndërveprim dhe verifikim më të mirë të të dhënave.

Ambasadori i Zvicrës, Sh.T. Kristof Somer theksoi se pikërisht nëpërmjet shkëmbimit ndërkombëtar të të dhënave të tilla u zbuluan dhe u kthyen fonde të konsiderueshme të fituara në mënyrë të paligjshme, duke theksuar “rolin e veçantë të organizatave të shoqërisë civile dhe gazetarëve investigativë në zbulimin e korrupsionit”.

Projekti “Përdorimi i të dhënave të pronarëve të vërtetë për të zvogëluar korrupsionin”, i mbështetur nga Qeveria e Zvicrës përmes Civika mobilitas kontribuoi në angazhime specifike institucionale, debat më të gjerë publik dhe përgatitjen e rekomandimeve për politika publike, me qëllim që të dhënat e pronarëve të vërtetë të bëhen një mjet i vërtetë në parandalimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e fondeve publike.

Gatishmëria dhe angazhimi i shprehur i institucioneve të përfshira për të ndryshuar do të merret në konsideratë në dokumentin e politikave publike me rekomandime për përmirësimin e përdorimit të informacionit të pronarëve të vërtetë për të çuar përpara përpjekjet kundër korrupsionit në vend.

Në një kohë kur interesi publik kërcënohet nga shumë anë – nga korrupsioni, nga abuzimet, nga sulmet kibernetike – nevoja për mbrojtjen e tij, nga mekanizma funksionalë, të organizuar dhe sistematikë, si dhe përfshirja e qytetarëve, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile të cilët do të kenë të dhëna lehtësisht të arritshme dhe të lidhura, është edhe më e madhe.

Продолжи со читање