Bashkëpunimi midis organizatave qytetare dhe sektorit të biznesit sjell shumë përfitime të ndërsjella
“Arsyeja pse të gjithë duam të bashkëpunojmë është sepse të gjithë duam të përfitojmë. Pavarësisht nëse vini nga sektori i biznesit apo nga sektori qytetar, duhet të filloni të zhvilloni një kuptim më kompleks të përfitimeve të ndërsjella”, tha Simon Forrester, eksperti ndërkombëtar i Civica mobilitas, pjesëmarrësve të punëtorisë “Forcimi i bashkëpunimit midis sektorit privat dhe organizatave qytetare”, e cila u mbajt më 21 tetor në Shkup.
Më shumë se 20 përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile dhe kompanitë u mblodhën në ambientet e MCMS-së dhe diskutuan rreth interesave të përbashkëta, sfidave dhe mundësive për partneritete të reja. Forrester i inkurajoi pjesëmarrësit të ndajnë përvojat e tyre në këtë fushë.
“Shpresoj që bizneset do të jenë më të hapura ndaj përvojave, njohurive dhe mbështetjes së mundshme të ndryshme nga organizata”, tha Mila Josifovska Danilovska nga Fondacioni Metamorfozis. Ajo shpjegoi se programet e tyre janë të përqendruara në njohuritë mediatike, transformimin digjital dhe përgjegjësinë sociale dhe se megjithëse deri më tani kanë bashkëpunuar kryesisht me kompani jashtë Maqedonisë, si Facebook dhe Google, ata janë të interesuar të bashkëpunojnë me kompani vendase.


Drejtoresha e QMA-së “KRIK”, Mila Karadafova Angelovska, e theksoi rëndësinë e krijimit të kontakteve të reja. “Ne nuk kemi bashkëpunim me sektorin e biznesit, kështu që do të doja të dija se si të krijojmë bashkëpunim, çfarë mund të presim dhe si të krijojmë një shoqëri më të mirë për të gjithë”, shtoi ajo.
Forrester bëri një krahasim me Mbretërinë e Bashkuar, ku të tre sektorët – shteti, shoqëria civile dhe privati – punojnë së bashku dhe në mënyrë efektive. Sipas tij, në Maqedoni, sektori i shoqërisë civile është më i vogël dhe ende në zhvillim, kështu që bashkëpunimi është më i vështirë.
Pjesëmarrësit u njoftuan me tetë fushat e përfitimeve nga bashkëpunimi, sipas hulumtimeve evropiane: reputacioni, inovacioni dhe ndarja e njohurive, zhvillimi i tregut, mobilizimi i burimeve, ndikimi në politika, arsimi, zhvillimi i kapitalit njerëzor, si dhe ESG (qeverisja mjedisore, sociale dhe e korporatave) dhe menaxhimi me rreziqet. Forrester theksoi se dialogu me organizatat e shoqërisë civile i ndihmon bizneset të vlerësojnë rreziqet e mundshme dhe reagimet e komunitetit përpara se të nisin iniciativa të reja.

Pjesëmarrësit nga organizatat e shoqërisë civile patën mundësinë të diskutojnë drejtpërdrejt me përfaqësuesit e kompanive me përgjegjësi shoqërore. Midis tyre ishin Goran Antevski nga “Rade Konçar-TEP”, Irena Jakimovska nga “Comfi Angel”, Blagoj Hristov nga “Telekomi i Maqedonisë”, Xhemail Dauti nga “Dauti- Komerc“, Besir Dernjani nga Fondacioni “Albiz“, si dhe Petar Ordanoski, Tiana Kostova dhe Mila Kostiq nga “Infoproekt“.
Irena Jakimovska ndau një shembull bashkëpunimi me një organizatë të shoqërisë civile dhe gjithashtu theksoi nevojën për përfshirjen e grave në proceset ekonomike. “Si kompani së bashku me “Finance Think” punuam mbi temën e rritjes së produktivitetit të punës tek gratë. Analiza tregoi se vetëm 40% e popullsisë femërore është e përfshirë në proceset ekonomike. Ky tregues negativ nuk është i keq vetëm për gratë, por edhe për kompanitë dhe vetë shtetin”, theksoi ajo.
Goran Antevski foli për përfitimet afatgjata të projekteve me përgjegjësi shoqërore . “Ne gjithmonë marrim pjesë në projekte ku njerëzit mund të mësojnë dhe të bëjnë diçka për veten e tyre. Vitet e fundit, ne jemi përqendruar më shumë në projekte që krijojnë përfitime sociale afatgjata, në vend që të sponsorizojmë vetëm ngjarje njëditore.”


Blagoj Hristov shpjegoi në detaje se sifunksionon sistemi i mbështetjes së organizatave të shoqërisë civile të Telekomit të Maqedonisë: “Përmes Fondacionit Telekom për Maqedoninë, ndahen fonde serioze për të mbështetur iniciativa të ndryshme. Ne përqendrohemi veçanërisht në projekte afatgjata në fushën e ekologjisë, shëndetit dhe përfshirjes.” Ai shtoi se Fondacioni lëshon thirrje publike çdo vit dhe fokusi është në zgjidhje dhe iniciativa të qëndrueshme me vlerë shoqërore.
Punëtoria gjeneroi gjithashtu ide të reja për përmirësimin e bashkëpunimit. Kompanitë propozuan krijimin e një platforme që do të lehtësonte aksesin në organizatat e shoqërisë civile sipas interesave dhe nevojave të tyre. Marina Mateska nga Shoqata e Punonjësve Socialë (SHPSM) propozoi krijimin e një Rrjeti ndikimi, i cili do të forconte marrëdhëniet midis sektorëve, me burime, besim dhe një mision të përbashkët.
Qëllimi i seminarit ishte krijimi i mundësive për bashkëpunim afatgjatë dhe përfitime të ndërsjella midis sektorit civil dhe atij të biznesit. “Duke i kuptuar më mirë përfitimet e ndërsjella, do të fitoni ide të reja dhe do të zhvilloni në mënyrë strategjike marrëdhëniet tuaja në një mënyrë më të fortë”, tha Simon Forrester, duke i inkurajuar pjesëmarrësit të vazhdojnë të zhvillojnë bashkëpunimin e tyre të ndërsjellë.








