Author: Фондација Метаморфозис

  • Digjitalizimi i administratës publike në kontekstin e integrimit evropian – avantazhet dhe sfidat

    Me ftesë të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Milla Josifovska Danillovska, Menaxhere e programeve në Fondacionin Metamorfozis ishte folëse në tryezën e rrumbullakët me temën: “Digjitalizimi i administratës publike në kontekstin e integrimit evropian – avantazhet dhe sfidat” që u mbajt më 6 mars 2025 në Shkup.
    Së bashku me Stanisllav Vasillkovskin nga Ministria e Transformimit Digjital dhe Valentin Fetaxhokoskin nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Josifovska Danillovska dha një pasqyrë të gjendjes së digjitalizimit të administratës publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga perspektiva e sektorit civil dhe institucioneve shtetërore.

    Burimi: Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut
    Sfidat kryesore në transformimin digjital
    Josifovska Danillovska në prezantimin e saj theksoi se digjitalizimi nuk duhet parë vetëm si pjesë e procesit të integrimit evropian, por si një reformë themelore që do të sjellë përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ajo vuri në dukje se e re Plani i Rritjes së BE-së përcakton detyrime dhe afate konkrete në fushën e digjitalizimit, të cilat shteti duhet t’i përmbushë për të siguruar progres të vazhdueshëm.
    Josifovska Danillovska theksoi se sigurina kibernetike është një nga sfidat më të mëdha që kërkon, ndër të tjera, harmonizimin e legjislacionit me Direktivën NIS2, si dhe formimin dhe operacionalizimin e CERT-ve kombëtare dhe qeveritare në përputhje me standardet e BE-së, në mënyrë që të mundësohet një nivel i lartë i sigurisë kibernetike për mbrojtjen gjithëpërfshirëse dhe zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë.
    Po ashtu, ajo theksoi se është i nevojshëm harmonizimi me Rregulloren për Identitetin Digjital të BE-së dhe eIDAS2, si dhe zbatimi i një sistemi të vetëm të menaxhimit të dokumenteve në të gjitha institucionet shtetërore. Josifovska Danillovska shtoi se pa ndërveprueshmëri (interoperabilitet), edukim digjital dhe shërbime elektronike funksionale, transformimi digjital nuk do të japë rezultate reale. Theks i veçantë u vu në rëndësinë e nevojës për Portofolin e Identitetit Digjital në përputhje me standardet e BE-së dhe nevojat e qytetarëve, me synimin për qasje të sigurt, të shpejtë dhe të unifikuar në shërbimet elektronike publike dhe private, duke lehtësuar njohjen ndërkufitare të dokumenteve digjitale dhe duke rritur besimin, sigurinë dhe efikasitetin në transaksionet digjitale të qytetarëve.

    Burimi: Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut
    Edukimi digjital dhe të dhënat e hapura – faktorë kyç për digjitalizim të suksesshëm
    Josifovska Danillovska theksoi se edukimi digjital është një nga parakushtet për një transformim të suksesshëm digjital. Pa qytetarë dhe administratë publike me edukim digjital, digjitalizimi nuk do të japë rezultate efektive. Ajo theksoi se është e nevojshme qasje strategjike ndaj edukimi digjital, përmes arsimit formal dhe joformal, aktivitete edukative të përshtatura dhe fushatave masive për ngritjen e vetëdijes, në mënyrë që qytetarët t’i kuptojnë dhe t’i shfrytëzojnë përfitimet e digjitalizimit.
    Lidhur me futjen në përdorim të zgjidhjeve të bazuara në inteligjencën artificiale në ofrimin e shërbimeve publike, Metamorfozis kreu një hulumtim mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në të drejtat e njeriut, duke analizuar rregulloret dhe standardet etike evropiane dhe ndërkombëtare. Josifovska Danillovska theksoi se para aplikimit të inteligjencës artificiale në sektorin publik, është e nevojshme të vendosen strategji dhe politika të qarta që do të sigurojnë që teknologjia të mos ndikojë negativisht në të drejtat e njeriut, sidomos gjatë vendimmarrjes së automatizuar. Ajo gjithashtu foli për rëndësinë e harmonizimit me Ligjin e BE-së për Inteligjencën Artificiale, miratimin e standardeve etike për krijimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, si dhe nënshkrimin dhe ratifikimin e Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për IA-në dhe të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Sundimin e Ligjit.
    Përveç kësaj, ajo e theksoi rëndësinë e të dhënave të hapura për një transformim të suksesshëm digjital. Të dhënat e hapura nuk janë të rëndësishme vetëm për shkak të transparencës, por edhe për faktin se sistemet e bazuara në inteligjencën artificiale përmirësohen vetëm nëse kanë qasje në informatat dhe të dhënat përkatëse. Në këtë drejtim, ajo theksoi se është e nevojshme të miratohet dhe të zbatohet Ligji për të Dhënat e Hapura dhe Ripërdorimin e të Dhënave në Sektorin Publik në përputhje me Direktivën e BE-së për të Dhënat e Hapura (2019/1024/BE).
    “Të gjitha këto procese i prekin drejtpërdrejt qytetarët. Prandaj, konsiderojmë se institucionet duhet të jenë të hapura për bashkëpunim me sektorin e shoqërisë civile, i cili ofron ekspertizë në mbështetjen e reformave dhe qasje për kategori të ndryshme qytetarësh – që nga faza e hartimit të politikave dhe zgjidhjeve, e deri te zbatimi dhe vlerësimi i tyre. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një ekosistem të fuqizuar digjitalisht që i shërben vërtet qytetarëve” – përfundoi Josifovska Danillovska.

  • Thirrje e hapur për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Rrjetit për PQH

    RRJETI I ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË COVILE PËR PARNTERITET PËR QEVERI TË HAPUR publikon:
    THIRRJE TË HAPUR
    për shprehjen e interesit për zgjedhjen e sërishme të 5 (pesë) anëtarëve nga organizatat e interesuara të shoqërisë civile nga Rrjeti i OSHC-ve për PQH në Këshillin Drejtues të Rrjetit të OShC-ve për PQH.
    Çdo anëtar i Rrjetit mund të emërojë përfaqësuesin e tij në Këshillin Drejtues.
    Emërimi i anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues bëhet me shkrim, duke parashtruar një formular emërimi, i cili shërben për të konfirmuar përshtatshmërinë e kandidatit të emëruar.
    Kriteret e përshtatshmërisë për kandidatët e emëruar janë si më poshtë:

    Të paktën 5 vjet angazhim aktiv në një nga fushat prioritare;
    Kredibilitet profesional i vërtetuar përmes një biografie të shkurtër profesionale;
    Arritje specifike në fushat e veprimit të Rrjetit dhe më konkretisht në fushat e PQH-së. Kjo dëshmohet përmes punimeve, analizave etj. të bashkangjitura.
    Deklaratë e motivimit personal dhe një plan i shkurtër me ide se si kandidati i emëruar mund të kontribuojë për PQH-në përmes angazhimit në Këshillin Drejtues.

    Me këtë thirrje ftohen të gjitha organizatat e interesuara të shoqërisë civile që janë anëtare të Rrjetit të OSHC-ve për PQH të aplikojnë duke dorëzuar aplikacionin e bashkëngjitur dhe dokumentet e nevojshme të shënuara në thirrje, me të cilat vërtetohet përmbushja e kritereve.
    Afati për dorëzimin e aplikimeve është 31 mars (e hënë) 2025.
    Aplikimi për anëtarësim në Këshillin Drejtues të Rrjetit të OSHC-ve për PQH bëhet në mënyrë elektronike, duke dorëzuar një aplikim të plotësuar dhe dokumentet e nevojshme në adresën e mëposhtme të e-mailit: danche@metamorphosis.org.mk
    Formularin e aplikimit mund ta shkarkoni këtu.

  • Klikimet, Paratë dhe Ndikimi: Rolet dhe Përgjegjësitë e Mediave Online në Zgjedhje

    Është e nevojshme të forcohet transparenca dhe mbikëqyrja e reklamimit të paguar politik në mediat online gjatë fushatës zgjedhore. Kjo është premisa bazë nga e cila filloi zbatimi i projektit “Paratë, Mediat dhe Zgjedhje në Maqedoninë e Veriut”, të cilin e zbaton Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) së bashku me Fondacionin Metamorfozis. E si kulminacion i zbatimit të aktiviteteve të projektit, më 4 dhe 5 mars 2025, në Shkup, u mbajt konferenca ndërkombëtare “Klikimet, Paratë dhe Ndikimi: Rolet dhe Përgjegjësitë e Mediave Online në Zgjedhje.”
    Joana Kozma, Drejtoreshë e Zyrës së IFES-it në Maqedoninë e Veriut, në fjalën e saj hyrëse theksoi se qëllimi i kësaj ngjarjeje është ta lehtësojë shkëmbimin e praktikave të mira ndërkombëtare dhe rregulloreve për mbikëqyrjen e fushatave politike dhe mediave online gjatë zgjedhjeve, si dhe të shihet, nëse disa nga ato praktika mund të inkorporohen në praktikën kombëtare dhe kornizën ligjore të vendit.
    Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, theksoi se gjatë zbatimit janë identifikuar zbrazëtirat dhe dobësitë kritike në reklamimin e paguar politik në mediat online gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.
    Në kuadër të sesionit “Numërimi mbrapsht deri në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: Si të forcohet transparenca dhe mbikëqyrja e reklamimit të paguar politik gjatë fushatës mediatike, duke përfshirë edhe në portalet e internetit”, u diskutua mbi mënyrat e mundshme për të përmirësuar mbikëqyrjen, raportimin dhe transparencën e portaleve në internet gjatë zgjedhjeve – një rishikim i sfidave aktuale rregullatore, etike dhe praktike në lidhje me zgjedhjet e ardhshme.
    Maksim Acevski, kryerevizori shtetëror në Entin Shtetëror të Revizionit, theksoi se institucioni shpenzon burime të vlefshme njerëzore dhe para për monitorimin e procesit zgjedhor, të cilin e monitoron vazhdimisht një sektor i tërë i përbërë nga revizorë të autorizuar.
    “Me vite kemi thënë se ka nevojë për ndryshime të Kodit Zgjedhor, të cili e miratojnë aktorët politikë pa u konsultuar me ne” – theksoi Acevski. Sipas tij, kjo fushë duhet të rregullohet, veçanërisht në pjesën e portaleve në internet, duhet të përcaktohen kritere për shpërndarjen e mjeteve, si dhe të rregullohet më tej politika ndëshkuese.
    Drejtori i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike, Zoran Trajçevski, në prezantimin e tij përsëriti se ASHAAM-i konsideron se nuk duhet të ketë reklamim të paguar politik nga buxheti i shtetit. Ai foli edhe për tendencën për të ridrejtuar fushatat zgjedhore në rrjetet sociale. Ai tha se gjatë zgjedhjeve presidenciale është vërejtur se bartësit e funksioneve publike dhe kandidatët kanë përdorur profilet e tyre në Facebook për kryer fushatë të hapur, me transmetime të drejtpërdrejta, fjalime, fotografi dhe video të takimeve të tyre me qytetarët.
    “Kështu ata mobilizuan një numër më të madh mbështetësish dhe fituan më shumë shikues. Zhvillimi i fushatës në rrjetet sociale në vendin tonë nuk është fare i rregulluar”, shtoi Trajçevski.
    Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski në këtë ngjarje theksoi se kjo ministri ka marrë njërën nga kompetencat që ka të bëjë me politikat në fushën mediatike.
    “Portalet janë në numër shumë më të madh në krahasim me mediat tradicionale, edhe pse shumë prej tyre janë fantazmë. Përgatitja e Ligjit për Mediat është në fazë të avancuar, dhe pres që së shpejti ai të gjendet në seancë të qeverisë, dhe më pas në Kuvend”, tha ministri.
    Ditën e dytë të konferencës e hapi Zëvendësambasadori i Ambasadës Britanike në Shkup, Daniel Filler, me fjalë nderi.
    “Është e rëndësishme të nxjerrim mësime nga çdo cikël zgjedhor si një hap i radhës për të përmirësuar integritetin e zgjedhjeve të ardhshme. “Projekti “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet”, i financuar nga Mbretëria e Bashkuar, ofron prova dhe propozime për një mbikëqyrje të përmirësuar të shpenzimeve publike në fushatën zgjedhore në internet dhe rolin e mediave në formësimin e diskursit publik” – tha Filler.
    Pasoi sesioni “Monitorimi i reklamave të paguara politike: rolet institucionale dhe kushtet e ndryshueshme në epokën dinamike digjitale”, ku u diskutua për praktikat (dhe sfidat) kombëtare dhe ndërkombëtare në mbikëqyrjen e reklamimit të paguar politik dhe sigurimin e harmonizimit, veçanërisht në lidhje me fushatën online gjatë zgjedhjeve. Folës ishin Emilija Janevska, shefe e Sektorit për Çështje Programore të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike, Magnus Oman, Drejtor i Zyrës Rajonale të IFES-it për Evropën dhe këshilltar i lartë për financimin politik, si dhe Noemi Arcidiacono nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Sesioni u moderua nga Dançe Danillovska-Bajdevska, Drejtore e programeve në Fondacionin Metamorfozis.
    Në sesionin e fundit të konferencës “Mjetet dhe metodologjitë për monitorimin dhe raportimin etik të mediave online”, folësit Sam Power, ekspert ndërkombëtar për financimin politik dhe partiak, Universiteti i Bristolit dhe Biljana Georgievska, Drejtoreshë Ekzekutive e Këshillit për Etikë në Media në Maqedoni, diskutuan për aplikimin e mjeteve dhe metodologjive për monitorimin dhe raportimin e aktiviteteve të mediave online gjatë zgjedhjeve. Sesioni hapi një diskutim mbi praktikat e mira, zgjidhjet teknologjike (duke përfshirë edhe përdorimin e IA-së) dhe qasjet rregullatore për të siguruar transparencë, llogaridhënie dhe saktësi në mbikëqyrjen e mediave digjitale. Sesioni u moderua nga Zllatko Simonovski nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES).
    Mbi 70 pjesëmarrës dhe 12 folës të pranishëm në konferencën dyditore “Klikimet, Paratë dhe Ndikimi: “Rolet dhe Përgjegjësitë e Mediave Online në Zgjedhje” diskutuan për mënyrat se si portalet online gjatë zgjedhjeve dhe në një kohë të rritjes së fushatave digjitale dhe ndikimi i tyre mund të kontribuojnë në raportimin etik dhe të drejtë për kandidatët dhe partitë pjesëmarrëse në zgjedhje, me ç’rast dolën përfundimet e mëposhtme:

    Nuk ka ligje konkrete që e rregullojnë reklamimin politik në internet, prandaj ka nevojë të bëhet rregullimi ligjor i kësaj fushe duke i dhënë kompetenca një institucioni apo organi të caktuar.
    Derisa të arrihen zgjidhjet konkrete ligjore, është e dëshirueshme të krijohen mekanizma për zbatimin dhe monitorimin e përmbajtjeve të dëmshme përmes bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile dhe mjeteve digjitale.
    Duhen urgjentisht kritere që do të garantojnë se paratë e shtetit për fushatat zgjedhore do të përfundojnë në portale të besueshme.

    Ekzistojnë praktika të mira ndërkombëtare që mund të ndihmojnë në rregullimin e punës së portaleve online dhe në përgjithësi në financimin dhe raportimin për paratë e shpenzuara në fushatat zgjedhore, duke i përfshirë edhe mjetet e inteligjencës artificiale.

    Vëmendje duhet t’i kushtohet edhe pronësisë së portaleve online, pasi kjo shpesh mund të zbulojë një lidhje të padukshme midis partive dhe përmbajtjes favorizuese që publikohet.

    Konferenca “Klikimet, Paratë dhe Ndikimi: Rolet dhe Përgjegjësitë e Mediave Online në Zgjedhje” u organizua në kuadër të projektit “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, të financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.

  • Thirrje për organizatat – trajnime për sigurinë digjitale

    Fondacioni Metamorfozis punon në mënyrë aktive për të forcuar kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile për sigurinë kibernetike në mbështetjen e anëtarëve të tyre, veçanërisht të grupeve të cenueshme, për ta rritur rezistencën e tyre ndaj kërcënimeve kibernetike dhe për të praktikuar higjienën e rregullt kibernetike.
    Në kuadër të aktiviteteve për përmirësimin e njohurive në fushën e sigurisë kibernetike, dhe në kuadër të projektit “MburojaKibernetike: Qytetarë të Fuqizuar për Rezistencë Kibernetike”, Fondacioni Metamorfozis planifikon dy trajnime njëditore për përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistët qytetarë.
    Trajnimi i parë do të mbahet më 9 prill të vitit 2025, ndërsa trajnimi i dytë do të mbahet më 7 maj të vitit 2025. Të dy trajnimet do të mbahen në Shkup, në zyrat e Fondacionit Metamorfozis. Për pjesëmarrësit që vijnë nga jashtë Shkupit do të mbulohen shpenzimet e udhëtimit në shumën e biletës kthyese të autobusit.
    Trajnimi do të përfshijë këshilla praktike për krijimin dhe menaxhimin e fjalëkalimeve të forta, rëndësinë e autentifikimit me dy faktorë (2FA), si të njihen sulmet “phishing” dhe softuerët keqdashës (malware), përdorimin e sigurt të rrjeteve publike Wi-Fi, si dhe rekomandime për mbrojtjen e të dhënave personale në rrjetet sociale. Përveç kësaj, do të diskutohet për rreziqet e përdorimit të aplikacioneve dhe linqeve të pasigurta, rëndësinë e përditësimit të rregullt të softuerit dhe përdorimin e zgjidhjeve antivirus. Trajnimi synon t’ forcojë shprehitë digjitale të pjesëmarrësve dhe t’i mbrojë ata nga kërcënimet e mundshme kibernetike në përdorimin e tyre të përditshëm të internetit.
    Organizatat që do të jenë pjesë e trajnimeve do të kenë mundësinë të aplikojnë për mentorim për të hartuar plane të personalizuara të sigurisë digjitale, në mënyrë që të forcojnë kapacitetet e tyre dhe të nxisin efektin e forcimit të rezistencës kolektive ndaj kërcënimeve kibernetike përmes këtyre aktivistëve të fuqizuar.
    Formulari për aplikim është në dispozicion në linkun në vijim.
    Aplikimi për pjesëmarrësit është i hapur deri më 1 prill të vitit 2025.

    Projekti “MburojaKibernetike: Qytetarë të Fuqizuar për Rezistencë Kibernetike” mbështetet nga një grant nga Ndërhyrja Kombëtare e Projektit Rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për një Ballkan Perëndimor të Lidhur” i zbatuar nga Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile (CPCD), dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë.

  • Klikimet, Paratë dhe Zgjedhjet: Reklamat politike online të kenë gjurmë digjitale

    Reklamat online duhet të kenë të ashtuquajtura gjurmë (digjitale), në mënyrë që të mund të gjurmohet se kush paguan për ato reklama, për ose kundër kujt janë të dedikuara. Gjurmët e këtilla nga reklamat jo vetëm që duhet të përmbajnë sa më shumë informacion dhe detaje të jetë e mundur, por gjithashtu duhet të grumbullohen në skedarë të përshtatshëm në mënyrë që të ketë transparencë më të madhe dhe të mund të gjurmohen më lehtë. Këto ishin disa nga konkluzionet që Dr. Magnus Oman, Këshilltar i lartë për financa politike në Fondacionin Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), i ndau në brifingun e sotëm me gazetarët në Shkup, të organizuar nga Fondacioni Metamorfozis dhe IFES, në kuadër të projektit “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”. Dr. Oman dha një perspektivë krahasuese mbi reklamimin politik në mbarë botën, si dhe disa nga praktikat më të mira, duke thënë:
    – Financimi online me pagesë, siç pritej, përfaqëson pjesën më të madhe të financimit politik gjatë zgjedhjeve. Për shembull, vetëm në dy muajt e fundit të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në SHBA, janë shpenzuar 700 milionë dollarë vetëm për Meta dhe Google, nga gjithsej 1,2 miliardë dollarë që janë shpenzuar për reklamim online gjatë fushatës.
    Dr. Magnus Oman (Foto: arkivi personal)
    Dr. Oman theksoi se nuk duhet të merret si shembull vetëm një vend dhe të kopjohet tërësisht sistemi, Ligji për Raportimin Financiar, aq më tepër për shkak se, sipas tij, një pjesë e madhe e kornizave rregullatore dhe ligjeve nuk janë në hap me mënyrat e reja të reklamimit politik. Këtu ai veçoi shembullin e Donald Trump-it, i cili ndau më pak fonde për reklamim politike gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe u fokusua më shumë tek influencuesit dhe komentuesit në internet.
    Pikërisht për këtë foli edhe Emilija Petreska Kamenjarova nga Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike në panelin e javës së kaluar. Ajo vuri në dukje se rregullativa mediatike i mbulon influencuesit që ndajnë video në platformat online me qëllim të informimit, argëtimit ose edukimit të përdoruesve dhe në këtë mënyrë ata realizojnë përfitim ekonomik. E me rregulloren e re që Agjencia duhet ta miratojë këtë vit, do të saktësohen kriteret për atë se cilët influencues do t’i nënshtrohen rregullimit ligjor.
    “Mjafton që reklamimi online të përmendet në Kodin [Zgjedhor]”, thotë Dr. Oman, që do të ofronte mbikëqyrje adekuate dhe kështu do t’u jepte komisioneve rregullatore mundësinë për të sqaruar se cila do të ishte mënyra e paraqitjes dhe raportimit për fondet e reklamimit online, çfarë do të konsiderohej reklamim politik online, e çfarë jo.
    Ai gjithashtu thekson se nuk janë vetëm “shtetet”, gjegjësisht subjektet politike, që janë të detyruara të jenë maksimalisht transparente për financimin e reklamave, por edhe vetë platformat dhe reklamuesit ku vendosen këto reklama. Me fjalë të tjera, sa fonde kanë ndarë kandidatët, sa dhe nga kush kanë marrë platformat.
    Ai thekson se rregulloret e BE-së vetëm tani do të duhet të harmonizohen midis vendeve anëtare, veçanërisht për shkak se ato vetë kanë ligje të ndryshme për reklamim politik. Kështu, do të
    Monitorohet harmonizimi i të gjithave vendeve në mënyrë të veçantë, kurse Komisioni i BE-së do t’i monitorojë vendet kandidate si Maqedonia e Veriut.
    Më pas, Dr. Oman ndau edhe disa praktika të mira që ia vlen të zbatohen. Disa herë u theksuan të ashtuquajturat gjurmë (digjitale) ose imprints, me të cilat që të mund të gjurmohet se kush sa paguan për ato reklama, për ose kundër kujt janë të dedikuara. Gjurmët e tilla do të mblidheshin në një lloj skedari, të ngjashëm me bibliotekat e reklamave të Meta dhe Google. “Political Advert Repository” (Depoja e reklamave politike) ose PADRE nga Afrika e Jugut u veçua si një shembull pozitiv që i ngjan një sistemi të tillë.
    PADRE, në fakt është një nismë e Komisionit Zgjedhor të Afrikës së Jugut që synon të sistemojë reklamat politike online dhe digjitale në biblioteka lehtësisht të qasshme, që do ta rrisin transparencën e proceseve zgjedhore.
    Foto: Pamje e kranit nga biblioteka e reklamave politike të Afrikës së Jugut, PADRE
    Edhe pse, siç theksoi Dr. Oman dhe siç mund shihet nga vetë faqja e internetit, biblioteka është e zbrazët dhe pritet të mbushet së shpejti, qëllimi është që procesi të bëhet sa më i lehtë dhe i shpejtë. Ky është rekomandimi i dytë i praktikës së mirë që e ndau Dr. Oman. Ai konsideron se ky proces i raportimit për financimin e reklamave politike duhet të thjeshtohet në mënyrë që të mund të monitorohet.
    Shembull i fundit që e prezantoi Dr. Oman është shtimi i një lloj kodi në vetë reklamat. Këto kode do të futeshin nën reklamë dhe do të mund të kontrolloheshin në skedar si PADRE. Ose, kode që do të kishin një link që do të çonte te bibliotekat ku do të ishte e mundur të shihej se kush qëndron pas reklamave dhe sa para janë paguar për to.

    Marrë nga Vërtetmatësi

  • Konferenca ndërkombëtare me titull “Klikimet, Paratë dhe Ndikimi: Rolet dhe Përgjegjësitë e Mediave Online në Zgjedhje”

    Kemi kënaqësinë t’ju informojmë se Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES) në bashkëpunim me Metamorfozis organizon konferencën ndërkombëtare me temën “Klikimet, Paratë dhe Ndikimi: Rolet dhe Përgjegjësitë e Mediave Online në Zgjedhje” që do të mbahet më 4-5 mars 2025 në hotelin “Holiday Inn” në Shkup.
    Kjo ngjarje dyditore do të mbledhë së bashku ekspertë dhe palë të interesuara për të diskutuar se si gjatë zgjedhjeve të forcohet transparenca dhe mbikëqyrja e reklamimit të paguar politik gjatë fushatës mediatike, duke përfshirë edhe në portalet online. Sesionet do të mbulojnë disa tema, duke përfshirë reklamimin e paguar politik, rolet institucionale dhe ndryshimin e kushteve në epokën dinamike digjitale; do të prezantohen praktikat e mira, zgjidhjet teknologjike dhe qasjet rregullatore për të siguruar transparencë, llogaridhënie dhe saktësi në mbikëqyrjen e portaleve në internet.
    Konferenca organizohet në kuadër të projektit “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, i mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO) e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

  • Dita për Internet më të Sigurt 2025: Me Ligjin për Shërbimet Digjitale të BE-së drejt një të ardhmeje digjitale më të sigurt

    Internet i sigurt për të gjithë!

    Bota digjitale sjell shumë mundësi, por edhe sfida. Në Ditën e Internetit të Sigurt, e potencojmë rëndësinë e shërbimeve digjitale dhe të drejtave tona!

    Shikoni videon dhe mësoni sesi Ligji për Shërbimet Digjitale i BE-së (LSHD) e bën internetin më të sigurt për të gjithë, gjegjësisht se si rregullat e reja të Ligjit për Shërbimet Digjitale na mbrojnë në internet – nga transparenca e algoritmeve deri te lufta kundër dezinformatave.

    Së bashku mund të krijojmë një internet më të mirë dhe më të sigurt!

  • Hapja fillon me njohuri dhe bashkëpunim: Mbështetje mentoruese për komuna transparente dhe llogaridhënëse

    Në vazhdim e sipër është mbështetja mentoruese për rritjen e hapjes dhe transparencës së komunave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilën Koalicioni Rural në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis e ofron për nëntë komuna nga tetë rajonet planifikuese ku është duke u zbatuar ose planifikohet të zbatohet mjeti digjital mZaednica (mKomuniteti).
    Ndër komunat e para që e fituan këtë mundësi për të forcuar kapacitetet e administratës komunale me synimin për të publikuar në mënyrë proaktive të dokumenteve, përmirësimit të transparencës dhe hapjes, si dhe tejkalimit të sfidave aktuale, me qëllim të inkurajimit të pjesëmarrjes më të informuar të qytetarëve në vendimet lokale, janë komunat: Koçana, Kriva Pallanka, Vallandova, Aerodromi, Demir Hisari, Gostivari, Negotina, Struga dhe Shtipi.
    Mentorimi kryhet online në janar dhe shkurt të vitit 2025, duke u bazuar në metodologjinë për forcimin e kapaciteteve të komunave të zhvilluar sipas Indeksit të Hapjes së vetëqeverisjes lokale, me theks në sistematizimin dhe prioritizimin e informatave në bazë të rezultateve të Indeksit të Hapjes.
    Mentorimi kryhet online në janar dhe shkurt të vitit 2025, në bazë të metodologjisë për forcimin e kapaciteteve të komunave, të zhvilluar sipas Indeksit të Hapjes. Fokusi kryesor është vënë te prioritizimi sistematik i informatave sipas rezultateve të fundit të monitorimit të hapjes së vetëqeverisjes lokale të paraqitura në Vlerësimin e qeverisjes së mirë në njësitë e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes Indeksit të Hapjes.
    Qëllimi përfundimtar i këtij aktiviteti janë nëpunësit publikë të trajnuar, të cilët do të jenë në gjendje të punojnë në avancimin konsekuent të hapjes së komunave të tyre.

    Ky aktivitet është pjesë e projektit (DIGILOK) Transformimi Digjital në Nivel Lokal – Komuniteti i Përfshirë për Rezistencë ndaj Korrupsionit, i cili mbështetet nga Qeveria e Zvicrës përmes “Civica Mobilitas”. Partnerë të projektit janë Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis, Koalicioni Rural dhe Qendra për Inovacione Sociale Blink 42-21.

  • Fillon matja e hapjes së njësive të vetëqeverisjes lokale për vitin 2025 përmes Indeksit të Hapjes

    Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – “Metamorfozis”, në partneritet me Koalicioni Rural, fillon me kryerjen e matjes së këtij viti të hapjes së njësive të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
    Matja e hapjes së të gjitha 81 njësive të vetëqeverisjes lokale do të realizohet në përputhje me Indeksin e Hapjes, që paraqet një tregues të përbërë, që e përcakton shkallën e hapjes së institucioneve ndaj qytetarëve dhe shoqërisë, dhe është krijuar për ta përcaktuar shkallën në të cilën qytetarët e marrin informacione të përshtatshme dhe të kuptueshme nga institucionet.
    Për ta matur shkallën e hapjes së vetëqeverisjes lokale, duke i ndjekur rregulloret ligjore, standardet ndërkombëtare, rekomandimet, si dhe praktikat e mira, monitorimi përmes Indeksit të Hapjes kryhet sipas treguesve të veçantë sasiorë dhe cilësorë, të cilët i referohen qasjes në informata në ueb-faqet zyrtare, të dhënave të publikuara për funksionimin e institucionit, furnizimeve publike, informatave për shpenzimin e parave publike, etj.
    Pas përfundimit të matjes së hapjes së njësive të vetëqeverisjes lokale, e në bazë të të dhënave të analizuara, Fondacioni Metamorfozis do të përgatisë një dokument të politikave publike që do t’i komunikohet vetëqeverisjes lokale dhe publikut, me qëllim që të ndihmojë në promovimin e hapjes së vetëqeverisjes lokale ndaj qytetarëve.
    Më shumë informacion për matjen e fundit të kryer të hapjes së njësive të vetëqeverisjes lokale mund të gjeni në publikimin Vlerësimi i qeverisjes së mirë në në njësitë e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes Indeksit të Hapjes
    Ky aktivitet është pjesë e projektit (DIGILOK) Transformimi digjital në nivel lokal – Komuniteti i përfshirë për rezistencë ndaj korrupsionit që është mbështetur nga Qeveria e Zvicrës përmes Civica mobilitas. Partnerë të projektit janë Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis, Koalicioni Rural, dhe Qendra për Inovacione Sociale Blink 42-21.

  • Indeksi i Hapjes: Filloi rrethi i nëntë i matjeve të hapjes së pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ

    Filloi rrethi i nëntë i matjes së hapjes së pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në katër vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi, përmes Indeksit të Hapjes. Matja kryhet nga rrjeti ACTION SEE – Rrjeti për Përgjegjësi, Teknologji dhe Hapje të Institucioneve në Evropën Juglindore me mbështetjen e Fondit Kombëtar për Demokraci (NDI) përmes projektit ““Përdorimi i Teknologjisë për të Promovuar Përgjegjësinë dhe Transparencën e Institucioneve.”

    Indeksi i hapjes është një tregues i përbërë që për tetë vjet me radhë e përcakton shkallën e hapjes së institucioneve shtetërore nga Ballkani Perëndimor ndaj qytetarëve dhe shoqërisë, dhe është krijuar për të përcaktuar se në çfarë mase qytetarët e Ballkanit Perëndimor marrin informacion të përshtatshëm dhe të kuptueshëm nga institucionet.
    Për të matur shkallën e hapjes së institucioneve, partnerët e rrjetit ACTION SEE, duke ndjekur standardet dhe rekomandimet ndërkombëtare, si dhe shembujt e praktikave të mira, i monitorojnë institucionet sipas treguesve të veçantë sasiorë dhe cilësorë, si për shembull: qasja në informacione në ueb-faqet zyrtare të institucioneve, cilësia e kornizës ligjore për çështje të caktuara, burime të tjera të informimit të publikut, të dhëna të publikuara për punën e institucionit, prokurimet publike, informacione për shpenzimin e parave publike etj.
    Në bazë të rrethit të tetë të matjeve që është kryer gjatë vitit 2024, u përgatitën publikimet “Vlerësimi i qeverisjes së mirë së pushtetit ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon përmes Indeksit të Hapjes” dhe “Vlerësimi i qeverisjes së mirë së pushtetit legjislativ në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon përmes Indeksit të Hapjes” të cilat japin një pasqyrë të hapje së institucioneve të veçanta, dhe kanë rekomandime dhe hapa konkretë për përmirësimin e hapjes së tyre.

    Projekti “Përdorimi i Teknologjisë për të Promovuar Përgjegjësinë dhe Transparencën e Institucioneve” zbatohet nga Qendra për Tranzicion Demokratik (Mali i Zi) në partneritet me Fondacionin për Internet dhe Shoqëri, “Metamorfozis”, Shoqatën Qytetare “Zashto ne” (Pse jo?) (Bosnjë dhe Hercegovinë) dhe Partnerët për Ndryshim Demokratik Serbi (Serbi), me mbështetjen financiare nga Fondi Kombëtar për Demokraci (NDI).

Нема повеќе содржини

Нема повеќе содржини