E drejta e lirisë së shprehjes paraqet njërën nga bazat më esenciale të një shoqërie demokratike dhe njërin nga kushtet e progresit të saj. Në sistemet demokratike, secili individ gëzon të drejtën për të shprehur mendimin e vet, për të komunikuar, për të pranuar dhe transmetuar informacione dhe ide, ndërsa e drejta e këtillë duhet qenë funksionale. Kjo e drejtë nuk përfshin vetëm të drejtën individuale të lirisë së shprehjes me të cilën bëhet shprehja e qëndrimeve dhe mendimeve, siç u shënua më lartë, por gjithashtu bëhet dhe ushtrimi i tyre nga mediat. Megjithatë, është me rëndësi të theksohet se e drejta e lirisë së shprehjes është një vegël e fuqishme, e cila mund të keqpërdoret dhe shfrytëzohet për të nxitur dhunë, për të përhapur urrejtje dhe për të shqetësuar privatësinë dhe sigurinë individuale.